Arrestohet Marklen Haka në Nikël, ishte shpallur në kërkim nga operacioni i SPAK “Revanshi”

Policia ka arrestuar Marklen Hakë, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”. Haka është vënë pranga në zonën e Niklës.

Haka, i konsideruar si anëtar i bandës së Niklës, është i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale teksa i ka mbijetuar disa atentateve.

Në atentatin e kryer ndaj tij në vitin 2019 mbeti e vrarë halla e tij, 50-vjeçarja Shpresa Basha. Marklen Haka arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah sepse ishte në oborr kur filluan të shtënat.

Ndërsa në janar të vitit 2022 ai u prangos nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona, por sërish u lirua. Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20-vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes.

Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zenelit mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.

I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar dhe Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur të fajshëm. Për vrasjen, mediat asokohe flisnin për dy pista.

Fillimisht u dyshua dhe Markleni vrau Nadien Zenelin në shenjë hakmarrjeje për ekzekutimin e vëllait të tij, Rolandit, kur ai vetë ishte vetëm 13 vjeç.

Dyshimet e familjes binin pikërisht mbi Nadien Zenelin, të cilin familja Haka e akuzoi se kishte prerë në besë, edhe pse për disa vite ai ka pasur lidhje krushqie me familjen në fjalë.

Viktima e vrasjes në Bllok, Nadien Zeneli, ka qenë i martuar me kushërirën e të dyshuarit, me të cilën ishte i divorcuar. Megjithatë nuk kishte prova të mjaftushme.

Mirëpo kjo nuk do ishte hera e fundit që Haka do të prangosej. Më 12 shtator të vitit 2018, Marklen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë përfunduan në Polici.

Policia arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie. Dënimin që e përfundoi në korrik të 2019.

Dy muaj më pas e plagosën. Po ashtu, Haka njihet për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-ën.