Të hënën nis shkolla, njoftim i rëndësishëm për mësuesit dhe prindërit

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Policia e Tiranës, stafet pedagogjike dhe oficerët e sigurisë në shkolla kanë ndërmarrë një sërë masash për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.

“Gjatë ditës së parë të shkollës, në të gjitha shkollat e qarkut Tiranë, do të planëzohen shërbime nga Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë, shërbime të Patrullës së Përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Seksionit për Hetimin e Krimeve, për vijimësinë e procesit mësimor, përsa i përket detyrave të Policisë, në drejtim të rendit dhe sigurisë.

Shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë marrë kontakt me drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë në shkolla, dhe do të jenë në gatishmëri të plotë 24/7, për të koordinuar veprimet, me qëllim parandalimin e depërtimit të fenomeneve negative nëpër shkolla, dhe për ndërhyrjen e menjëhershme për parandalimin e çdo veprimtarie kriminale që cenon sigurinë e nxënësve”, shkruhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Tiranës iu bën apel prindërve dhe çdo drejtuesi automjeti që ditën e hënë më datë 09.09.2024, të kufizojnë lëvizjet me automjete në afërsi të shkollave, me qëllim që qarkullimi të vijojë normalisht dhe të shmanget trafiku.