Hëngri 83 ‘hot dog’ në 10 minuta, rekordi i ri botëror transmetohet drejtpërdrejt në Netflix (video)

Views: 0

Në Las Vegas, Joey Chestnut mposhti Takeru Kobayashi në konkursin e ngrënies së “hot dog”, drejtpërdrejt në Netflix. Dy nga ngrënësit më të famshëm konkurrues në botë u përballën në një konkurs 10-minutësh të ngrënies së “hot-dog”. Chestnut përpiu 83 “hot dog”, duke thyer rekordin e tij botëror të mëparshëm (76), të vendosur në vitin 2021.

Nga ana tjetër, Kobayashi hëngri “vetëm” 66 “hot dog” në pak minuta. Ky “duel” u zhvillua në “Hyper X Arena”, në Luxor të Las Vegas. Aktori Rob Riggle dhe ish-ylli i WWE, Nikki Garcia, drejtuan ngjarjen e rrallë, e cila u transmetua drejtpërdrejt në “Netflix”.

Gjatë garimit, dy pjesëmarrësit nuk u lejuan të hidhnin ujë në “hot dog”-ët e tyre, ose t’i ndanin ato si simite. Dënime kishte edhe për çdo thërrime të mbetur pas ose për pështymë. Chestnut fitoi çmimin prej 100.000 dollarësh dhe mori një “rrip” me porosi, të krijuar nga WWE, i cili iu dorëzua nga mundësi profesionist Rey Mysterio.

Chestnut dhe Kobayashi u përballën për herë të fundit me njëri-tjetrin në vitin 2009, ku i pari doli fitues. Këtë vit, Kobayashi njoftoi tërheqjen e tij, por tha se do të kthehej për të konkurruar me rivalin në “Unfinished Beef” të Netflix. Korrikun e kaluar, Chestnut mori përsipër sfidën e nisur nga “Buffalo Wild Wings” dhe “shijoi” 200 krahë pule pa kocka në më pak se 38 minuta.

I lindur në vitin 1983, Joey Chestnut është një ngrënës profesionist amerikan. “Peshkaqeni”, siç njihet në mjedisin ku jeton, e filloi këtë “sport” në vitin 2005, teksa në një garë arriti të gëlltiste 2.9 kg shparg të skuqur në 11.5 minuta, duke mposhtur super favoritin Rich LeFevre. Mes rekordeve dhe dispepsisë, ai ndërtoi një karrierë të vërtetë, që e shndërroi në një personazh mjaft të kërkuar nga programet televizive.