Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Korçës këtë të shtunë pasi një burrë ka kryer një akt të rëndë ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas informacioneve paraprake, Bledar Trëndafili ka lyer me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën gruas së tij, Melisa Trëndafili. Ngjarja ka ndodhur pranë banesës me qira ku jetonte 31-vjeçarja, e cila aktualisht ndodhet në spital për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.
Çifti ishte në proces divorci, dhe motivet e këtij akti të rëndë mbeten ende të paqarta.
Policia ka nisur kërkimet për autorin, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së sulmit. Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.
Njoftimi i policisë Korçë/
Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 2, Korçë, në rrugë, shtetasi B. T., 45 vjeç, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse benzinë bashkëshorten,( në proces divorci dhe aktualisht jetojnë të ndarë), shtetasen M. T., 31 vjeçe. Shtetasi B.T, pasi i ka hedhur lëndën djegëse në trup shtetases M.T dhe e ka ndezur është larguar me shpejtësi.
Si pasojë shtetasja M. T., ka pësuar djegie në trup dhe është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 45 vjeçarit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.