Kërcënojnë presidentin e FSHF, Armand Duka, arrestohen 5 persona, procedohen penalisht dy të tjerë.
Pesë persona kanë përfunduar në pranga dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht, pasi kanë kërcënuar me mesazhe presidentin e Federeatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën.
Sipas policisë, këta persona kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës Dukën, dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
‘Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim’, njofton policia.