Cilat janë 6 qytetet e mëdha me ajrin më të ndotur në Shqipëri, kryeson Tirana

Cilësia e ajrit në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier e Shkodër është e një niveli shumë të keq.

Këtë nxjerr si përfundim Agjencia Kombëtare e Mjedisit në raportin vjetor të 2023-it.

Tirana rezulton qyteti me ajrin më të ndotur nga grimcat e pluhurit me diametër me të vogël se 10 mikrogramë.

“Niveli mesatar vjetor i këtyre grimcave në kryeqytet e tejkalon me 35% normën e lejuar”, thuhet në raportin e Agjencisë Kombëtare së Mjedisit.

Pas Tiranës, vlerat më të larta i ka Elbasani.

Kjo ndotje shkaktohet kryesisht nga shkarkimet e automjeteve në rrugët me trafik të rënduar.

“Menaxhimi i trafikut mund të japë një kontribut të rëndësishëm për të ndihmuar në reduktimin e shkarkimeve të ndotësve nga automjetet, si për shembull: skema që ndalojnë ose përjashtojnë makina më pak të pastra nga rrugë ose zona të veçanta”, thuhet në raportin e Agjencisë Kombëtare së Mjedisit.

Ekspozim ndaj grimcave të pluhurit PM 10 mund të përkeqësojë sëmundjet respiratore dhe kardiovaskulare, si dhe rritjen e vdekshmërisë.

Shkarkimet industriale po ashtu kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në ndotjen e ajrit në Shqipëri.

Një nga problemet serioze të ndotjes në Elbasan janë pluhurat e shkaktuara nga industria metalurgjike, fabrika e çimentos dhe nga depozita të hapura.

Ndërsa në zonën e Fierit ka probleme serioze të shkaktuara nga industria prezente dhe e mëparshme e naftës.