Sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, Rama: Çfarë tjetër duhet të ndodhë që ta quajmë lufte të mirëfilltë?

Kreu i ekzekutivit, Edi Rama, i cilëson sulmet kibernetike si një “luftë të mirëfilltë” dhe është e nevojshme që të trajtohen me seriozitet.

I ftuar në panelin me temë “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor” nga moderatori Steve Clemons, Rama u pyet edhe në lidhje me sulmin kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë.

“Së pari, përpara se sa shkojmë tek pika ku ngremë pyetjen se çfarë duhet të ndodhë që ta konsiderojmë luftën kibernetike një luftë të mirëfilltë dhe të kundërsulmojmë, sipas një kuadri rregullash, që e trajtojnë si duhet, na duhet të ngremë pyetjen: Çfarë shkeljesh të shëndetit mendor, por edhe fizik, duhet të ndodhin te fëmijët tanë, për ta konsideruar median sociale një problem të mirëfilltë?

I kthehem kësaj, sepse mendoj që i shërben thelbit të përgjigjes.

Jemi ende mjaft larg nga trajtimi si duhet i botës digjitale në tërësi që ndërkohë vazhdon të ndodhë, të rritet e të fitojë terren në shumë hapësira në botën reale, duke sjellë mjaft të mira, por edhe mjaft kërcënime, e bashkë me kërcënimet edhe mjaft pasoja”, tha Rama.