Identifikohet një 41-vjeçar si autor i dyshuar për vrasjen e ish-punonjësit të Policisë së Shtetit, Gentjan Bejtja në fshatin Larushk të Fushë Krujës, ngjarje e ndodhur në 15 mars të këtij viti. Personi i identifikuar është Florian Plaku nga Vlora i cili sipas Policisë dyshohet se ka patur rolin e ekzekutorit. 41-vjeçari rezulton se ka tre emra.
Bejtja u qëllua me breshëri plumbash në oborrin e banesës së tij.
Më herët, pak ditë pas ngjarjes u arrestuan 30-vjeçari Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj allias, Brahimi, allias Mançellari. Dy të arrestuarit rezultojnë të dënuar më parë për vepra të tjera të lehta penale. Ilir Beqaraj është kushëri i Ylli Ibrahimit, krahut të djathtë të Ervis Martinajt.
Autorët mbërritën te banesa e Gentjan Bejtjas me një automjet “Land Rover” të cilin e dogjën më pas, ndërsa nga aty u larguan me një “Volksëagen Golf” ç’ka solli më pas identifikimin e makinës nga Policia dhe për rrjedhojë grupi hetimor mbërriti te autorët e dyshuar.
Përdorimi në mënyrë të shkujdesur i këtij automjeti çoi në identifikimin e autorëve dhe për rrjedhojë zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Dinamika e atentatit
Autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë. Policia bën të ditur se pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet autorët janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë. Pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga ky moment, grupi hetimor ka mundur të zbardhë nga kryerja e veprimeve hetimore, se autorët janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Policia arriti të identifikojë në kohë automjetin tip “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.
Arrestimi i Edison Haxhiut dhe Ilir Beqarajt
Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambjentet e Policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Walther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare.
Më datë 19.03.2024, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe e municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumentave” parashikuar nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal, si dhe ndalimi i shtetasit Edion Haxhiu, 30 vjeç, për veprën penale “Sigurimi i kushte dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumentave, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave të tjerë si autorë të kësaj ngjarje.
Në kërkim ndërkombëtar 41-vjeçari nga Vlora, me tre emra
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar pë kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e DVP Tiranë, të mbështetura në fazën operacionale nga shërbimet e DVP Vlorë, kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin e shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, dhe vijon puna për kapjen e këtij shtetasi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Tiranë, është ushtruar kontroll në ambientet e një agjensie udhëtimesh në qytetin e Lezhës, ku janë administruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë për hetimin.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vlerësim të provave dhe fakteve të administruara, ka bërë rikualifikimin e veprës penale në ngarkim të shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe përveç veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 186 dhe 278/1 të Kodit Penal, këtij shtetasi i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 22 të Kodit Penal.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve të tjerë dhe për rezultatet e tyre do t’ju informojmë në vazhdimësi.
(BalkanWeb