Mbrëmjen e djeshme, një video e publikuar nga JOQ Albania tregoi momentin pasi një qen u godit brutalisht me dru në kokë në një sheshpushim pallati në Tiranë. Sot, policia njoftoi se autori i këtij akti është një 41-vjeçar, i cili u arrestua në rrugën “Thoma Koxhaj” pasi u kap në flagrancë duke keqtrajtuar qenin.
Sipas raportimeve të policisë, pas disa orësh në komisariat, 41-vjeçari u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës.” Gjatë një interviste me gazetarët e JOQ Albania, ai shpjegoi se e vrau qenin pasi ai kishte sulmuar djalin e tij, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në hundë.
Sot ka reaguar edhe nëna e fëmijës, e cila, e tronditur nga ngjarja, ka dërguar disa foto të djalit të saj të mitur i cili u sulmua mbrëmë nga qeni. Nga fotot duket se qeni e ka kafshuar të miturin në fytyrë duke i këputur një pjesë të hundës.
Nëna e fëmijës bëri thirrje për shpërndarjen sa më të shpejtë të fotove dhe të vërtetës dhe kërkoi ndjesë për veprimin brutal ndaj kafshës. Ajo shprehu dhimbjen dhe shqetësimin e saj për situatën, duke theksuar rëndësinë e sensibilizimit të publikut ndaj ngjarjeve të tilla.
Reagimi i nënës së fëmijës për JOQ Albania:
Te lutem si nene per kete femije, shperndaje sa me shpejt se plasa nga marazi. Dhe kerkoju ndjese nga ana jone per formen brutale qe u be gjeja. Te lutem mbuloi pak sytë dhe a e shikon pjesen qe i mungon?