TURQI- 60-vjeçari Alban Kukaviqi, i cili u përplas nga një gomone në Vlorë gjatë pushimeve në muajin Korrik, ka hum,bur jetën ditën e sotme në Turqi. Kukaviqi ishte i shtruar në një spital turk, pas përplasjes për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar, por nuk arriti që tu mbijetonte plagëve të marra.
Dosja.al, mëson se Kukaviqi ka humbur jetën gjatë operacionit të tretë që po bënte për këmbën. Për shkak të përplasjes ai humbi këmbën dhe gjatë këtij operacioni do të vinte protezë. Por për shkak të dy operacioneve të mëparshme, Kukaviqi nuk arriti që të mbante dot narkozën.
60-vjeçari Kukaviqi ishte punonjës pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, të cilët u kanë shprehur ngushëllime familjarëve.
Postimi i Plotë:
Thellësisht të prekur nga humbja e parakohshme e kolegut tonë të dashur, Alban Kukaviqi, i cili në karrierën profesionale 31-vjeçare, pranë këtij institucioni, ka dhënë kontribut të çmuar në inspektimin e punës. Stafi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i shpreh familjes ngushëllime të sinqerta! Lamtumirë, i dashur koleg! Lutemi për shpirtin tënd!
Drejtuesi i gomones që përplasi Alban Kukaviqin është 42-vjeçari Flori Tahiri. Ai u arrestua nga policia e Vlorës pas përplasjes në Gjirin e Shën Janit në Karaburun. Tahiri goditi me helikën e gomones së tij pushuesin 60-vjeçar Alban Kukaviqi.