Detaje të reja kanë dalë nga hetimet mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi në zonën e Astirit, ku 25-vjeçari Darmend Keli qëlloi për vdekje me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari.
Kur është marrë në pyetje, Keli ka rrëfyer para grupit hetimor se vrasja erdhi si rezultat i një konflikti të shkaktuar nga ngacmimi që Hoxhallari i bëri të fejuarës së tij.
Darmen Keli ka treguar se pas shoqërimit të të fejuarës deri tek parkimi, u ngjit në shtëpi dhe nga ballkoni vërejti se një motor po e ndiqte dhe po i ngacmonte të fejuarën. Ai i foli Hoxhallarit nga ballkoni dhe më pas zbriti poshtë për t’u përballur me të.
“Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”.
Pas sulmit, Hoxhallari u përpoq të largohej me një shokun e tij që drejtonte motorin, por ra nga mjeti disa metra më tej për shkak të plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Policia ka arrestuar shokun e Hoxhallarit për ‘Drejtim mjeti në gjendje të dehur’, pasi nga testi i alkoolit ai rezultoi i pirë.