Në foto: Një nxënëse e klasës së nëntë vendos celularin e saj te një mbajtëse telefoni ndërsa hyn në klasë në shkollën e mesme Delta, të premten, 23 shkurt 2024, në Delta, Utah, SHBA. Shumica e shkollave kanë politika që rregullojnë përdorimin e celularëve të nxënësve në shkollë. Por realiteti është se fëmijët nuk i ndjekin gjithmonë rregullat dhe shkollat i zbatojnë ato në mënyrë sporadike. (Foto: AP/Rick Bowmer)
Nga JOCELYN GECKER
Mësuesi i shkollës së mesme të Virxhinias, Joe Clement, përmend tekstet e mesazheve që prindërit u kanë dërguar nxënësve të ulur në klasat e tij të ekonomisë dhe qytetarisë:
– “Çfarë more në test?”
– “A e more për ta nënshkruar formularin e ekskursionit?”
– “A do pulë apo hamburger për darkë sonte?”
Clement ka një lutje për prindërit: Mos u dërgoni mesazhe fëmijëve tuaj në shkollë!
Prindërit janë jashtëzakonisht të vetëdijshëm për shpërqendrimet dhe problemet e shëndetit mendor që lidhen me telefonat inteligjentë dhe mediat sociale. Por mësuesit thonë se prindërit mund të mos e kuptojnë se sa shumë shtohen këto vështirësi kur fëmijët marrin mesazhe në shkollë.
Më së paku, krijohet shpërqendrim e më tej vazhdim i përdorimit të telefonit, qoftë për hidh e prit me prindërit, qoftë dhe për plot të tjerë që secili ka në listën e vet të komunikimeve.
Profesori pohon se edhe kur shkollat rregullojnë ose ndalojnë telefonat celularë, është e vështirë për mësuesit ta zbatojnë atë.
Shtoji këtu faktin se zhurmat e vazhdueshme në orët e mësimit dhe telefonat po zënë hapësirën kritike të trurit.
Disa ndryshime në sjelljen e prindërve mund të ndihmojnë që telefonat t’i bëjnë më pak shpërqendrues në shkollë.
Ja çfarë rekomandojnë mësuesit dhe ekspertët.
PROVOJE: Ndaloni t’i dërgoni mesazhe fëmijës tuaj kur është në shkollë
Shumë prindër qëndrojnë në kontakt me fëmijën e tyre duke dërguar mesazhe, por shkolla është një vend për t’u fokusuar në të mësuarit dhe zhvillimin e pavarësisë.
Mësuesit thonë se ju gjithsesi mund të kontaktoni fëmijën nëse keni një ndryshim në plane ose një emergjencë familjare: Thjesht kontaktoni zyrën e shkollës, recepsionin, apo mësuesen kujdestare.
Nëse mesazhi nuk është urgjent, ndoshta mund të presë.
Mendoni për këtë, në këtë mënyrë: “Nëse keni ardhur në shkollë dhe më thoni: ‘A mund ta nxirrni fëmijën tim nga klasa që t’i them diçka jo të rëndësishme?’ ne do të thonim jo,” thotë këshilltarja e shkollës qendrore të Virxhinias, Erin Rettig.
Mësuesit kanë dhe një këshillë: Nëse fëmija juaj ju shkruan dhe nuk ka gjë urgjente, mos e vazhdoni çatin.
Fëmijët përdorin telefona në klasë, edhe kur është kundër rregullave. A duhet shkollat t’i ndalojnë ato gjatë gjithë ditës?
Dr. Libby Milkovich, një pediatre që merret me zhvillimin dhe sjelljeje e fëmijëve në Children’s Mercy Kansas City, thotë se ajo u kërkon prindërve të marrin parasysh se çfarë humbasin fëmijët duke i pasur prindërit në krahë gjatë orëve të shkollës.
“Duke dërguar e marrë mesazhe me një prind, një fëmijë nuk është në gjendje të praktikojë as aftësitë e vetë-qetësimit dhe as të zgjidhjes së problemeve,” thotë Milkovich. /noa.al