Një konflikt i dhunshëm në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ka përfunduar me plagosjen e një 30-vjeçari nga një roje parkingu.
35-vjeçari Geldian Daullçiu është arrestuar pasi ditën e sotme, rreth orës 06:30, në rrugën “Pjetër Bogdani”, pas një debati, ka goditur me bërryl në fytyrë shtetasin Endri Mera 30 vjeç, i cili ka rënë në tokë pa ndjenja.
30-vjeçari është dërguar në spital, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohē që roja i parkimit përballet me akuzën e “vrasjes me dashje”, e mbetur në tentativë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë publike në një nga zonat më të njohura të Tiranës, dhe hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin G. D., 35 vjeç, banues në Tiranë, (roje në një parking në zonën e Ish-Bllokut), për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 e 22 të Kodit Penal.
Ky shtetas dyshohet se ditën e sotme, rreth orës 06:30, në rrugën “Pjetër Bogdani”, pas një debati, ka goditur me bërryl në fytyrë shtetasin E. M., 30 vjeç, i cili ka rënë në tokë pa ndjenja dhe është dërguar në spital, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.