Moti i keq ka goditur Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa qindra shtëpi raportohet se kanë mbetur pa energji elektrike, për shkak të stuhisë Lilian, e cila vazhdon të godasë disa pjesë të Britanisë.
Treqind shtëpi në Durham, si dhe 80 shtëpi në Yorkshire, mbetën pa energji elektrike gjatë natës, si pasojë e motit të keq.
British Airways ka anuluar gjithashtu udhëtimet në disa destinacione këtë mëngjes, duke përfshirë Barcelonën, Romën, Edinburgun, Parisin dhe më shumë.
Stuhia ka shkaktuar gjithashtu kaos udhëtimesh në hekurudha, pasi një tren u përplas me një pemë mëngjesin e sotëm në Kent.
Ajo që ndodhi këtë mëngjes ishte një makth i udhëtarëve në Wrexham, Chester, Carlisle, Chester, si dhe në qytete të tjera veriore pasi shërbimet u vonuan ose u anuluan këtë mëngjes.
Diku tjetër në Anglesey, në Uellsin verior, sërfistët kanë shfrytëzuar erërat në avantazhin e tyre dhe i janë drejtuar dallgëve këtë mëngjes.
Met Office ka lëshuar gjithashtu alarme për “rrezik për jetën”.
Dy paralajmërime të verdha të motit u lëshuan në jugperëndim të Skocisë dhe në bregdetin Aberdeenshire nga ora 21:00 e së enjtes deri në orën 9 të mëngjesit të së premtes.
Met Office u ka kërkuar gjithashtu drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes në rrugë, dhe paralajmëroi organizatorët në Festivalin e Leeds që të sigurojnë tendat pasi stuhia do të godasë pjesët veriore të Anglisë dhe Uellsit.
Priten gjithashtu erëra deri në 80 mph, me ndërprerje të udhëtimit, përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike dhe kushte të rrezikshme pranë zonave bregdetare, sipas parashikuesit.