Nga 1 janari i vitit 2025, pensionistët në Tiranë do të udhëtojnë falas në të gjitha linjat urbane të kryeqytetit.
Lajmin e dha kryebashkiaku Erjon Veliaj, i cili njoftoi se është duke u punuar që në çdo stacion autobusësh të vendosen tabela informuese elektronike, për itinerarin dhe oraret.
Bashkia e Tiranës në këtë mënyrë do të subvencionojë transportin publik për të gjithë pensionistët, të cilët nga 1 Janari i vitit që vjen do udhëtojnë falas me autobus në kryeqytet.
“Inflacioni, çmimet janë një stres për pensionistët dhe teksa qeveria po mendon për rritjen e pensioneve, bashkia do të japë kontributin e saj, duke e bërë udhëtimin falas”, tha Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Lajmin e mirë ai e dha teksa inspektoi shërbimin e Linjës numër 2, e cila ka rinovuar flotën e autobusëve të saj. Gjithashtu Veliaj njoftoi se ka nisur puna edhe për vendosjen e tabelave informuese për udhëtarët në çdo stacion.
“Do të vihen tabelat e reja, sipas një metodologjie që përdoret edhe në Paris, në Londër, apo Nju Jork; qytetarët do ta dinë saktësisht se ku ndodhet autobusi dhe si mund të lidhen me një linjë tjetër. Për momentin jemi duke punuar në 137 stacione”, sqaroi kryebashkiaku.
Përmirësimi i shërbimit – theksoi kryebashkiaku më tej– nuk do të prekë çmimin e biletës.
“Nuk do të ketë asnjë lëvizje të çmimit, edhe pse inflacioni në 10 vitet fundit ka bërë të vetën dhe çmimet e tjera janë rritur”, shtoi ai.
Linjat e Tiranës tashmë janë hedhur në Google Maps, gjë që u vjen në ndihmë edhe turistëve për të gjetur stacionet e transportit publik.
I gjithë sistemi i transportit në Tiranë do të quhet “Urbani” – njoftoi Veliaj – duke shtuar se së shpejti do të blihet edhe autobusë elektrikë.