Policia e Shtetit konfirmoi ekstradimin ditën e sotme të 23-vjeçarit, djalit të “Lirit të Rushkës”. Pjesë e grupit të Haxhiut në dosjen “Kurrë mos harro”. Bashkë me mikun e tij Gersi Maxhari, sulmoi dhe plagosi Johan Muçllarin pas sherrit të hershëm. Më 2023 kanosi dy policë në aksion te “Astiri”, që të mos e arrestonin
Greqia sjell në pranga drejt Shqipërisë të shumëkërkuarin Firdeus Berberi, 23 vjeç, nga Pogradeci dhe i njohur si djali i Ilir Berberit, i thirrur edhe me pseudonimin “Liri i Rushkës”.
Agjentët e Interpol Tiranës dhe ata të Policisë së Shtetit morën sot në kufi nën dorëzim të riun nga Pogradeci, i dyshuar si pjesë e një grupi për disa ngjarje kriminale. Berberi ishte kapur vitin e kaluar bashkë me Leart Haxhinë, drejtues të një klani kriminal në Lushnjë dhe i ekstraduar këtë vit po nga Greqia.
Berberi dyshohet edhe si anëtar i grupit të Haxhiut, pjesë e dosjes së bujshme të Policisë vitin e kaluar (Tetor 2023), dhe e koduar “Kurrë mos harro”.
Firdeus Berberi, gjatë ekstradimit sot
Operacioni është koduar “Para drejtësisë” dhe u finalizua sot (21 Gusht). Gjykata e Pogradecit kishte dhënë ndaj tij masën e “arrestit me burg” në mungesë prej 29 prillit të vitit 2022, për akuzën “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, “mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe “prishja e qetësisë publike”.
Berberi, një emër i njohur për policinë vendore dhe drejtësinë, akuzohet se më 25 prill të dy viteve më parë, bashkë me mikun e tij Gersi Maxhari, kanë plagosur pas një sherri djalin e një biznesmeni lokal, Johan Muçllarin, që mori plagë kritike. Pas krimit të dyshuarit u arratisën, teksa ndaj tyre nisi procedimi penal. Ngjarja ka pasur si shkak sherret e vazhdueshme mes dy palëve dhe konfliktet u mbyllën me plagosje.
Momenti i ekstradimit të berberit nga Greqia
“Si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Athina” u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kush është Firdeus Berberi, anëtar i grupit të Laert Haxhiut. Si i kanosi policët në aksion më 2023: Do ju vras!
Firdeus Berberi, 23 vjeç, nga Pogradeci, nuk është emër i panjohur. Ai tashmë është pjesë edhe e dosjes “Kurrë mos harro” të Policisë dhe Prokurorisë së Posaçme, si pjesë e organizatës së drejtuar nga Laer Haxhiu, ku mes krimeve janë edhe disa vrasje dhe atentate me lëndë plasëse apo shantazhe dhe kërcënime.
Një nga episodet, përveç plagosjes, ka qenë ai i kanosjes së 2 policëve gjatë një aksioni në zonën e “Astirit”, pranë “Vila L”, teksa Berberi i shpallur në kërkim edhe për plagosjen e vitit 2022 të Johan Muçllarit, po fshihej në këtë zonë të Tiranës.
Policët nuk e njihnin dhe më 6 prill 2023 u përplasën me të. Berberi i kërcënoi me jetë, duke u thënë “do ju vras…!”, dhe më tej u arratis me vrap, për t’u kapur më pas në një operacion të policisë greke, në vendin fqinj, pas një aksidenti dhe ndjekjeje.
Berberi udhëtonte bashkë me Haxhiun kur u ndaluan. Në tetor 2023 Policia e Shtetit publikoi edhe rezultatet e operacionit “Kurrë mos harro”, me të paktën 12 të akuzuar dhe dhjetëra nën hetim, organizatë e drejtuar nga Haxhiu dhe ku pjesë ishte i ekstraduari ditën e sotme, Firdeus Berberi. Banda u çmontua fal dëshmisë së të penduarit Marjus (Artan) Tafani, që u kap po vitin e kaluar, gjatë një tentativë grabitjeje të armatosur në “Astir”.
Skeda/ Konfliktet që nga viti 2018, sulmi ndaj hotel “Volorekës” dhe plagosja e djalit të biznesmenit nga ai i “të fortit të Pogradecit”
Plagosja e Johan Muçllarit ndodhi më 25 prill 2022 në Pogradec, por konfliktet sipas hetimeve kishin nisur 4 vite para sulmit me thikë dhe armë. Që prej vitit 2018 mes grupeve kishte përplasje të vazhdueshme. Muçllari është njëkohësisht djali i hotel “Volorekës” në Pogradec, biznesmenit Jetmir Muçllari.
Këtij të fundit, anëtarët e grupit të Laert Haxhiut, ku bënte pjesë edhe autori i plagosjes Firdeus Berberi, i bënë disa herë atentat me armë zjarri, por pa të lënduar. Për ngjarjen janë nën akuzë edhe dy miqtë e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orest Bilbili, të dënuar edhe për masakrën e Lushnjës më 2017, me 2 të vrarë dhe 3 të plagosur, pas përplasjes me grupin e Aldo Bares.
Firdeus Berberi është djali i Ilir Berberit, i thirrur edhe si “Liri i Rushkës” dhe cilësuar si “i forti i Pogradecit”.
Policia e Pogradecit arrestoi atëkohë pas plagosjes së Muçllarit 5 persona të dyshuar. Në pranga ranë Fatjon Bono, Kristian Kresto, Hekuran Gjona, Ledion Shkullaku dhe Rudi Shaho, të cilët u akuzuan se ndihmuan. U bënë edhe disa sekuestrime, kurse në kërkim u shpallën Firdeus Berberi si autor dhe miku i tij Gersi Maxhari, si bashkëpunëtor në plagosjen e Muçllarit.
Atëkohë policia tha se në vitin 2018, Johan Muçllari është konfliktuar me Andrea Pilinçin, Meardi Berberin dhe Mariglen Topuzin. Më pas në 1 gusht 2019, atij (Muçllarit) i është djegur edhe një makinë. Në bazë të kamerave të sigursë, Johan Muçllari dhe babai i tij, Jetmiri kanë identifikuar se autor ka qenë Mariglen Topuzi, ndërsa personi tjetër që ishte me të kishte fytyrën e mbuluar dhe nuk është gjetur nga policia për zjarrvënien.
Jetmir Muçllari është thirrur 10 shkurt 2020 për të dëshmuar, por atij i është bërë bllokadë në gjykatë nga 30 veta, mes tyre Ilir Berberi. Ilir Berberi ose “Liri i Rushkës”, i cilësuar si “i forti” i Pogradecit, është djali i Firdeus Berberit. Mes të tjerëve që bënë bllokadë ishin edhe i biri 23-vjeçar, Meard Berberi (Korua) dhe Xhuljano Topuzi. Derisa në vitin 2022 erdhi edhe plagosja e Johan Muçllarit dhe sulmet me armë ndaj hotel “Volorekës”.
A.Q/Shqiptarja.com