Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku një 56-vjeçare vrau kunati ne saj.
Sipas Prokurorisë Themelore, motiv duket të kenë qenë problemet familjare, teksa pas aktit gruaja është vetëdorëzuar në polici.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën ‘Ismet Krasniqi’ në Prishtinë, iu njoftojmë se Prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeçe) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale ‘Vrasja e rëndë’, sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.
Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente”, thuhet nga Prokuroria.
Ndërkohë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes u gjetën 10 gëzhoja e katër predha.
“Vrasje e rëndë. Prishtinë / 20.08.2024 – 19:00. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.