Shqipëria përballet me fenomenin e uljes së lindjeve, ja qarqet ku tkurrja është 2-3 herë më e madhe

Shqipëria po vuan uljen e numrit të lindjeve prej tre dekadash, por në disa qarqe rënia është rreth 2-3 herë më e madhe.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, lindjet në shkallë kombëtare ranë me 5.1% në 6-mujorin e parë të vitit, por për qarqet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Kukësit, rënia ishte 2-3 herë më e madhe.

Vlora shënoi rënien më të madhe të numrit të lindjeve në 6 mujorin e parë më rreth 16% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë qark në gjysmën e parë të vitit 2024 lindën vetëm 468 bebe nga 556 që kishin lindur me 2023 në të njëjtën periudhë.

Vlora u pasua nga Gjirokastra, me rreth 14 %. Në këtë qark në janar-qershor 2024 lindën 144 bebe nga 167 që lindën në 6-mujorin e parë 2023.

Ndërsa qarku i Kukësit u rendit i treti. Në janar -qershor në këtë qark linden 318 bebe me rënie 9.4% në krahasim me 6-mujorin e parë.

Gjithashtu, rënia e lindjeve mbi mesataren kombëtare ishte e pranishme edhe në qarqet e Lezhës, Beratit, Shkodrës dhe Durrësit.