Një aksident tragjik ka ndodhur në plazhin e Velipojës më 18 gusht, ku një 19-vjeçar italian, Nicola Iorio, humbi jetën pas një përplasjeje mes dy jet-skieve. Ai ishte në Shqipëri për pushime me të dashurën e tij, Giusy Di Tella, dhe vëllain e saj, Salvatore Di Tella, i cili është arrestuar nga policia e Shkodrës për vrasje nga pakujdesia.
Giusy Di Tella ka reaguar ndaj akuzave të policisë, duke theksuar se ata nuk kishin konsumuar alkool ose drogë në momentin e aksidentit. Sipas saj, gjithçka ndodhi papritur dhe ishte një aksident i pafat. Ajo ka shpjeguar se ajo dhe Nicola po bënin një xhiro me jet-ski, dhe në momentin e përplasjes, ajo ishte duke xhiruar një video me celularin e saj. Salvatore Di Tella, vëllai i saj, është përpjekur të shpëtojë Nicola-n dhe e ka nxjerrë në breg, por ai nuk ka mbijetuar.
Giusy ka akuzuar policinë për raportimin e një versioni të pasaktë të ngjarjes dhe ka kërkuar ndihmë nga autoritetet italiane për të siguruar që e vërteta të dalë në dritë. Ajo ka insistuar se vëllai i saj nuk kishte asnjë faj dhe se aksidenti ishte thjesht një fatkeqësi tragjike.
Të rinjtë ishin në Shqipëri për një dasmë dhe kishin vendosur të kalonin disa ditë pushimi në plazhin e Velipojës.
Dëshmia e të dashurës të viktimës:
Autoritetet shqiptare kanë lëshuar trupin e të dashurit tim dhe po përgatitemi për t’u rikthyer në Itali, por dua të theksoj fort se ishte thjesht një aksident tragjik, një përplasje e papritur. Ne nuk kishim pirë as alkool e as drogë. Unë, i fejuari im dhe vëllai im kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur bashkë.
Dy jet ski-të ishin larg njëra-tjetrës dhe ne nuk ishim aq larg bregut, ndryshe siç raportohet. Unë po xhiroja një video me celularin tim, kur Nicola më tha ta fikja. Në atë moment, pati një përplasje në anën e djathtë të jet ski-së tonë. Vëllai im u hodh menjëherë në det për ta shpëtuar Nicolan dhe e nxori trupin e tij në breg, që më pas u transportua drejt spitalit, aty ku nuk arriti të mbijetonte. Por dua të ritheksoj se ishte thjesht një aksident tragjik. Vëllai im nuk kishte asnjë faj, madje edhe familja e të dashurit tim thotë pikërisht këtë. Por këtu, në Shqipëri, ata domosdoshmërisht duan të gjejnë një fajtor: kjo është arsyeja pse ne kërkojmë ndihmë nga autoritetet italiane.