Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e ditës së hënë në Velipojë, ku u vranë me armë zjarri shtetasit Ardis Ishmi dhe Ersid Hoxha.
Dy të rinjve u tentua t’u jepej ndihma e shpejtë, por për fatin e keq nuk mundën të mbijetojnë, duke ndërruar jetë në spitalin rajonal.
Gazetari i Euronews Albania, Teodor Gjerga, bën me dije se autorë të krimit të rëndë janë vëllezërit Eduard dhe Gezim Frroku, pronarë të një hoteli dhe bari në Velipojë.
Sipas gazetarit, konflikti ka nisur rrreth dy muaj më parë mes kamarierit dhe kuzhinierit të biznesit në pronësi të vëllezërve Frroku.
Ndërhyrja e Ersid Ishmi, i cili kishte njohje si me kamarierin dhe kuzhinierin, duket se nuk i ka pëlqyer pronarëve duke bërë që konflikti të thellohej dhe të agravonte deri në përdorimin e armëve pas rreth dy muajsh.
“Bëhet fjalë për një konflikt banal që ka nisur kohë më parë dhe që ka degraduar deri në këtë pikë duke i marrë jetën dy të rinjve. Bëhet fjalë për një konflikt të nisur më 28 qershor, ku ka pasur një konflikt banal të kamarierit dhe kuzhinierit të një bari në pronësi të vëllezërve Frroku. Debati ka agravuar dhe ka ndërhyrë shtetasi Ersid Ishmi i cili ka pasur njohuri me të dy këta persona, por kjo nuk është pritur mirë nga pronarët e lokalit, të cilët kanë pritur deri ditën e djeshme ku kanë qëlluar me breshëri automaike ndaj këtyre dy personave”, tha Gjerga.