Jo të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të marrin kredi pranë bankave apo pranë mikrofinancës. Gjithashtu, nuk do të lejohet që një individ të marrë disa kredi pa kufizim njëkohësisht.
Banka e Shqipërisë po përfundon së hartuari rregulloren e re, ku do të jenë tri shtylla kryesore me kufizime në kredidhënie, jo vetëm për jo-bankat, por dhe për sektorin bankar të nivelit të dytë. Këto masa kufizuese synojnë mbrojtjen e konsumatorëve nga kreditë, kryesisht nga sektori jo-bankar, sidomos pas skandalit të MCA-së e FINAL-it.
Masa e parë kufizuese ka të bëjë me kufirin e numrit të kredive që një individ mund të marrë në banka ose jo-banka, sepse individët që kanë marrë disa kredi njëkohësisht janë më të rrezikuar për të pasur vështirësi në shlyerjen e tyre dhe për t’u klasifikuar si kredimarrës problematikë. Ky fenomen doli në pah edhe në rastin e MCA-së dhe FINAL-it ku shumë nga kreditë nuk u shlyen.
Masa e dytë kufizuese ka të bëjë me kredidhënien e bazuar në një analizë financiare dhe kufizimin e numrit të klientëve që mund të marrin kredi. Pra nëse një qytetar apo biznes ka performancë negative në shlyerje të kredive ose s’ka të ardhura të mjaftueshme, nuk do të marrë kredi.
Masa e tretë kufizuese ka të bëjë me plotësimin e disa kushteve për t’u kualifikuar për të marrë kredi. Pasi historiku i kreditimit ka treguar që edhe persona me probleme të shëndetit mendor kanë marrë kredi. Pra, do të ngrihet një “listë e zezë” me kategoritë që s’duhet t’u jepet kredi.
Këto ndryshime synojnë përmirësimin e kërkesave lidhur me etikën e dhënies së kredisë nga bankat dhe subjektet financiare jo-banka.
Banka Qendrore ka kërkuar më herët nga Ministria e Financave të propozojë kthimin në ligj të rregulloreve që kufizojnë normën maksimale të interesit të kredive që japin shoqëritë jo-banka dhe kufizimin e penaliteteve në 30% të totalit të detyrimeve. Këto masa shtrënguese po ndërmerren nga Banka e Shqipërisë për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet pas skandalit me MCA-në dhe FINAL-it, të cilët abuzuan me qytetarët duke ju shtuar detyrimet.