Kompania ikonë e kozmetikës “Avon Products” ka bërë kërkesë për shpallje falimentimi në Shtetet e Bashkuara, për shkak të qindra padive lidhur me efektet e supozuara kancerogjene të talkut në produktet e saj. Sipas dokumentit të dorëzuar në gjykatë, “Avon”-i përballet me 386 procese gjyqësore në pritje, me kërkesa për dëmshpërblim prej milionash. Ndonëse kompania e ka mohuar praninë e asbestit në produktet e talkut, kostot ligjore dhe kompensimi i kërkuar e kanë sjellë kompaninë në prag të kolapsit financiar.
“Avon”-i, i themeluar ne vitin 1886, është kthyer në një simbol të shitjes derë më derë. Në vitin 2020, kompania u ble nga kompania braziliane “Natura”, e cila ofroi mbështetje financiare për të përballuar krizën. Megjithatë, frika nga paditë e mëtejshme e ka shtyrë “Avon”-in të kërkojë mbrojtje përmes procedurave të falimentimit , të njohura si “Kapitulli 11”, i cili u lejon kompanive amerikane të riorganizohen dhe të mbrohen nga paditë e mëtejshme.
Mirëpo, “Avon”-i nuk është kompania e parë që i drejtohet kësaj procedure për shkak të polemikave për talk. Këtë javë, “Johnson & Johnson” arriti gjithashtu një marrëveshje prej 6,5 miliardë dollarësh për të kompensuar viktimat e përfshira në rreth 61 000 padi civile.