Lajm i mirë për 767 mijë të moshuar/ Si do të realizohet rritja e pensioneve nga 1 Tetori…

Pas rritjes së pagave në administratë, nisma që pritet të ndërmerret së afërmi nga qeveria Rama është rritja e pensioneve, e cila vjen në formë indeksimi, por edhe në trajtë bonusesh, siç u dhanë dy të tilla vitin e shkuar.

Indeksimi i pensioneve pritet të ndodhë në muajin tetor dhe do të jetë në një masë të konsiderueshme, i krahasueshëm me atë të një viti më parë.

Ekspertët e fushës janë duke diskutuar një formulë që të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta. Aktualisht, indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të mallrave të shportës së pensionistëve. Vitin e kaluar u aplikua një indeksim 8.6% (inflacioni i pensionistëve), por e përkthyer në vlerë, përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta. Psh., një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionist që paguhet me 30 mijë lekë në muaj, përfitoi një shtesë 2,560 lekë, ose tri herë më të lartë.

Një opsion që po diskuton qeveria është rritja me vlerë fikse. Një tjetër opsion në diskutim është indeksimi i pensioneve me të njëjtën normë sa rritja e pagës mesatare. Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi.