Shefi i antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi, ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme, për t’u njohur me masën e sigurisë, dy ditë pas arrestimit në flagrancë, duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, nga pronari i një lokali nate striptizmi pranë Urës së Dajlanit.
Shkëmbimi i parave u bë në një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë, nën mbikqyrjen e AMP-së dhe autorizmit të dhënë nga Prokuroria e Posaçme.
Në dëshminë e tij, dhënë sot para Gjykatës, Preçi ka kërkuar lirinë me pretendimin se është babai i 3 fëmijëve të mitur.
Po ashtu ai ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për shumën e parave që pronari i lokalit kishte në zarf.
‘Jam baba i tre fëmijëve të mitur, kërkoj një masë më të butë sigurie. Nuk e dija se çfarë kishte në zarf, ndaj edhe e mora’, mësohet të jetë shprehur Preçi.
Por pavarësisht pretendimeve të shefit të Antidrogës, dhe mbrojtjes së tij, GJKKO ka konfirmuar masën e sigurisë arrest me burg ndaj Preçit.
Referuar dosjes së SPAK, se Preçi i kishte kërkuar një shumë prej 20 mijë eurosh, pronarit të klubit të natës, ‘Night’ që ndodhet tek Ura e Dajlanit në Durrës, me kërcënimin se në të kundërt do i bllokonte biznesin.
Ky i fundit i gjendur nën kushtet e presionit, ka bërë kallëzim në AMP, ku më pas janë kryer dhe hetime, që më pas çuan në arrestimin në flagrancë të shefit të Antidrogës.