Disa influencues në rrjetet sociale po shtyjnë qytetarët të mos përdorin krem kundër diellit në mënyrë që të zhdukin aknet. Së fundmi, influencuesit me anë të videove të shumta në “TikTok” sugjerojnë se djegia nga dielli mund të ndihmojë në heqjen e akneve.
Ky “trend i ri”, që është përhapur gjerësisht, ka alarmuar dermatologët të cilët kanë reaguar menjëherë duke paralajmëruar se kjo tendencë mund të ketë pasoja shkatërruese. Ata kanë denoncuar shpejt trendin dhe kanë shpjeguar se mospërdorimi i kremit të diellit rrit shanset për zhvillimin e kancerit të lëkurës.
Mjekët u shprehën të shqetësuar se efektet e këtij trendi mund të zgjasin me vite, që do të thotë se ndjekësit e “TikTok”-ut mund të preken nga kanceri i lëkurës në vitet në vijim.