Gjykata e Pogradecit ka lënë në burg autorin e vrasjes së Egli Progës, Denis Meçen, ndërsa ka caktuar detyrim paraqitje për tre personat e tjerë të cilët akuzohen për “moskallëzim krimi”.
Pas vendimit, jashtë ambienteve të gjykatës, i afërmi i 42-vjeçarit ka folur për mediat, ku është lutur që të bëhet e pamundura për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ai thekson se nga këta kriminela pritet gjithçka dhe se ata njihen në qytetin e Pogradecit për gjobëvënie.
Kujtojmë që ka dyshime se shkak i vrasjes së Egli Progrës është pikërisht refuzimi i këtij të fundit për të t’i dhënë autorit paratë e kërkuara.
“Gjithçka pritet nga këta kriminela. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobvënie, jam pa fjalë. Nuk di çfarë të them. Dua që drejtësia të vihet në vend. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundurën, të zbardhin të vërtetën ose nuk e di çtë them. Këta janë kriminela të gjithë në bashkëpunim,” tha ai.
Ndërkohë që motra e viktimës, pak më parë u shpreh se ajo nuk është dijeni të këtij shkaku, por asgjë nuk përjashtohet.
“Po flisni për padrejtësi që filloi nga policia e shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, çdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë.
Kam parë skedën e vdekjes, me shënim “është vrasje”, çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje?
Po vazhdon të vritet Egli, me çdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë.Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është. Duke njohur kontigjentët, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushta një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja”, u shpreh e motra e viktimës.