Tiranë – Disa qytetarë që panë skenën teksa një i ri u mor me forcë me makinë në Tiranë, njoftuan me telefon policinë duke e vënë atë në lëvizje duke çliruar pengun dhe arrestuan dy të dyshuarit.
Noa.al mëson se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, morën njoftim nga qytetarë të rastësishëm se 2 të rinj kishin marrë me forcë, në automjet, një 22-vjeçar.
Forcat policore kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, janë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar: Ardit Cara 18 vjeç, dhe Artan Dukaj, 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Ata akuzohen për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 djem, pas një konflikti të çastit për një përplasje automjetesh, kanë marrë me forcë në automjet shtetasin E. G., 22 vjeç, duke i hequr lirinë atij, si dhe e kanë kanosur për dhënie pasurie. /noa.al