Në San Benedetto del Tronto, pushuesit mund të qëndrojnë të sigurt pasi mes shpëtimtarëve që sigurojnë çdo ditë sigurinë e turistëve në rivierën italiane, bie në sy një hero i vërtetë.
Dario Kercuku, është vetëm 18 vjeç por gjatë kësaj vere, “engjëlli me jelek të kuq” ka shpëtuar 17 persona që u gjendën në vështirësi në det.
Numri i shpëtimeve të kryera nga Dario, me origjinë nga Lushnja, nxjerr në pah aftësitë e jashtëzakonshme të një të riu që duket pothuajse i destinuar për këtë mision.
Ky është viti i tij i dytë që Dario punon në plazh. Ai filloi në vitin 2023, kur ishte ende i mitur dhe që atëherë ka fituar aftësi të ndryshme, duke përfshirë certifikimin për shpëtim me bordin Sup-Surf Rescue dhe autorizimin rajonal për përdorimin e defibrilatorit në rastet e shpëtimit.
Dario e përballon çdo gjë me shumë qetësi, sikur të kishte lindur për të veshur uniformën e kuqe.
“Këtë punë e kam ëndërruar që fëmijë. Si fëmijë i shikoja me admirim rojet e plazhit”.
Sot ai është përgjegjës për plazhin në “Bacio dell’Onda”, një zonë sfiduese për shkak të rrymave të pazakonta detare që formohen pranë Pennello sull’Albula.
Në këtë zonë, Dario dhe ekipi i tij kanë shpëtuar shumë pushues që rrezikonin mbytjen.
“Ka disa zona që është ndaluar larja në det por pushuesit disi të “tradhtuar” nga prania e një shkëmbi në zonë shkojnë atje sepse ndihen të sigurt dhe janë afër shkëmbit. Por pikërisht aty përfunduam ndërhyrjen më të vështirë bashkë me dy shpëtimtarë të tjerë”.
Ai thotë se shpëtimi i njerëzve nga mbytja është një mision që do donte ta vazhdonte gjatë gjithë vitit.