Hetimet vijojnë pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Tavullia, ku humbi jetën Dritan Idrizi, një 38-vjeçar me origjinë shqiptare, që jetonte në Riccione të Italisë. Idrizi u qëllua me thikë në kulmin e një debati të ashpër, duke marrë tre plagë, njëra prej të cilave fatale në zemër.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 qershor, kur Idrizi ka pasur një përleshje të dhunshme me anëtarët e familjes së Artur Cerrias, një person tjetër me origjinë shqiptare. Sipas raportimeve nga mediat italiane, Cerria është identifikuar si autori i vrasjes. Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar gjithashtu dy të tjerë: Gili Quedari, 28 vjeç, mik i viktimës, dhe Admir Shoshari, 54 vjeç, daja i viktimës.
Hetimet e deritanishme tregojnë se Idrizi kishte pasur një debat të ashpër me anëtarët e familjes Cerria. Artur Cerria i ka thënë hetuesve se e ka goditur viktimën me thikë në bark në atë që ai e përshkruan si një veprim në mbrojtje personale dhe për të mbrojtur familjen e tij, duke përfshirë gruan dhe djalin e tij. Arsyet e sulmit janë ende duke u shqyrtuar nga hetuesit, por një nga informacione fillestare sugjeron se viktima kishte një borxh prej 5 mijë eurosh për punë ndërtimore, që mund të ketë qenë një nga motivet e mundshme të konfliktit.
Tre të arrestuarit janë transferuar në burgun e Pesaros, me urdhër të Prokurorisë së Pesaros, dhe janë në pritje të seancës gjyqësore. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të sqaruar çdo detaj të lidhur me motivet dhe dinamikën e krimit.