Një incident i rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku një qytetar është sulmuar fizikisht nga Vasil Bedinaj, pronari i tre hoteleve të njohura. Sipas dëshmitarëve, konflikti nisi kur qytetari shprehu pakënaqësi për hapësirat e plazhit të zëna nga hoteli i Bedinajt.
Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, Bedinaj shihet që i afrohet qytetarit dhe e godet atë me grusht në fytyrë. Më pas, situata u përshkallëzua, por ndërhyrja e personave të pranishëm arriti të shmangte një përleshje të mëtejshme.
Bedinaj, i cili zotëron një rrjet të gjerë hotelesh dhe restorantesh në zonë, ka qenë më parë në vëmendje të mediave për ndërtim pa leje në zonën e Radhimës, si dhe për një atentat të mbetur në tentativë në vitin 2016.
Në vitin 2019, Bedinaj kërkoi miratimin për ngritjen e një stacioni plazhi në Ishullin e Sazanit, duke iu drejtuar disa institucioneve shtetërore për këtë qëllim. Ngjarja e fundit vetëm sa shton shqetësimet lidhur me veprimtarinë e tij në zonën e bregdetit të Vlorës.