Një shpërthen i fuqishëm raportohet se ka ndodhur mesditën e sotme në autostradën Tiranë – Durrës.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një pikë karburanti, ku ka shpërthyer një autobot, ndërsa zona është mbuluar nga shtëllunga të mëdha tymi. Nuk dihet ende nëse ka njerëz të lënduar, teksa në vendngjarje ndodhet policia, ku pritet edhe një reagim zyrtar se çfarë ka ndodhur.
Aktualisht raportohet se zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa rruga është bllokuar për arsye sigurie.
Çfarë tha policia
Rreth orës 14:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në një pikë karburanti, është përfshirë nga flakët një automjet që transporton karburant.
Për pasojë janë lënduar shtetasit Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz dhe shtetasi E.P., rreth 35-vjeç, (të dy punonjës të karburantit), të cilët janë trasportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse dhe Policisë ka izoluar flakët duke shmangur përfshirjen nga zjarri të çisternave me karburant.
Shërbimet e Policisë evakuan në kohë, personat e tjerë që ndodheshin rreth zonës në rrezik.
Zjarri është shuar tërësisht dhe lëvizja e mjeteve në të dy krahët e autostradës po vijon normalisht.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.