Pas një periudhe normaliteti rikthehet në fundjavë I nxehti afrikan që do të vazhdojë edhe javën që vjen me temperature deri në 41 Gradë Celcius.
Meteorologët thonë se vapa në këtë periudhë është më se normale, ajo që është anormale sipas tyre është fakti që për 40 ditë rresht ne po përjetojmë temperatura mbi 37 gradë Celcius.
“Temperaturat kryesisht ato në vlerat e mesditës duke filluar nga dita e shtunë edhe javën që vjen, pritet të jenë në vlerat nga 39 deri në 41 gradë Celcius. Pra do të jetë një tjetër javë ferri për shkak të masave të nxehta e përvëluese me origjinë nga shkretëtira e Saharasë në Afrikë. Me depërtimin e këtyre masave mbi Mesdhe ato ngopen me lagështi dhe njeriu ato do t’i ndjejë disa gradë më shumë, për shkak të lagështirës që ato mbartin. Pra nëse në kafazin meteorologjik do të jenë 39-41 gradë, trupi I njeriut ato do t-I ndjejë 45-47 gradë Celecius.
Një element i rëndësishëm kryesisht për pushuesit në plazhe është edhe era, që do të fryjë intensive përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, me shpejtësi mesatare 1-10 metra për sekondë, por hera herës do të fitojë shpejtësi deri në 16 metra për sekondë duke u intensifikuar dhe duke u bërë e bezdisshme për pushuesit.
Kjo nxehtësi nuk është normale, dhe nga të dhënat që ne disponojmë nuk ka ndodhur ky fenomen që të zgjasin më shumë se 40 ditë temperaturat në vlerat e mesditës që nuk zbresin poshtë 37 gradë Celcius”, tha Elvin Jahaj, sinoptikan, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.