Instituti i Shëndetit Publik ka dalë sot me këshilla të tjera për qytetarët se si të mbrohen nga virusi i Nilit Perëndimor. Virusi i Nilit Perëndimor nuk përhapet nëpërmjet prekjes. Megjithatë sipas ISHP duhen respektuar masat higjeno-sanitare si më poshtë:
– Shmangni kontaktin me duar të zhveshura kur trajtoni ndonjë kafshë të ngordhur.
– Nëse po hidhni një zog të ngordhur, përdorni doreza ose qese plastike për ta vendosur trupin e pajetë në një kosh plehrash. – Ndiqni gjithmonë udhëzimet për gatimin e plotë të mishit.
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit.
Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavarësisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nëpërmjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.