Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e grupit kriminal ku nën hetim u vendosën 11 persona, mes tyre ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Erzen Breçani.
Hetuesit kanë zbuluar se Breçani duke shfrytëzuar postin e tij por edhe njohjet në polici, së bashku me Bujar Ajetin dhe Adrian Cenajn kanë ndihmuar Nuredin Dumanin t’i fshihej drejtësisë.
Breçani dyshohet se ka pasur rolin e informatorit, pasi i ka dhënë informacione Dumanit në mënyrë që t’i shmangej arrestimit.
“Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata. I pandehuri Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione Bujar Ajetit si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore”.
Nga hetimet është zbuluar se Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga droga të djalit Eralbi Breçani, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre. Babë e bir kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave.