Një pushues ka ngritur shqetësimin e tij në JOQ pasi pronari i hotelit që ai kishte rezervuar në Dhërmi ka rritur çmimin e rezervimit të klientit në mënyrë të papritur.
Sipas denoncimit të të riut, rezervimi ishte bërë më 5 korrik për periudhën 7-11 gusht, me një çmim të rënë dakord prej 60 euro për natë. Megjithatë, kur ai kontaktoi pronarin për të konfirmuar orën e check-in përmes WhatsApp-it, ai u përball me një rritje të papritur të çmimit në 100 euro për natë.
“Kisha bërë një rezervim që më 5 korrik, për në Dhërmi për datat 7-11 gusht. Sot i shkruajta në WhatsApp për të pyetur për orën e check-in, dhe pronari e ndryshoi çmimin nga 60 euro që e kisha mbyllur rezervimin, në 100 euro,”-shkruan qytetari.
Praktika të tilla rezultojnë në indinjatë të turistëve vendas e të huaj e përfundojnë me pakënaqësi e mosfrekuentim të Shqipërisë në sezonet e ardhshme verore.
Ky rast thekson nevojën për transparencë dhe ndershmëri në marrëdhëniet e tregut të turizmit, duke siguruar që turistët të trajtohen me drejtësi dhe respekt.