Në Britani, një ekip kirurgësh ka operuar për herë të parë një fëmijë me ndihmën e robotëve.
Robotët mjekësorë të përparuar, të pakrahasueshëm për nga saktësia, po shihen si mjete që mund të përdoren për të operuar fëmijët dhe të rriturit.
Kirurgu që drejton ndërhyrjen nuk është as pranë pacientit, as pran tavolinës me pajisjet kirurgjikale. Krahët robotikë bëjnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa kirurgu kryesor përdor leva për t’i kontrolluar dhe drejtuar ato.
Spitali i Fëmijëve në Southempton të Anglisë po kryen testin e parë në Mbretërinë e Bashkuar për përdorimin e një pajisjeje novatore që quhet “Versius”, i cili është sistem robotik kirurgjikal. Roboti i ri ka saktësi të avancuar dhe aftësi manovrimi, falë të cilave mund të përdoret për të operuar pacientët e rinj.
Pas një sërë provash të suksesshme tek të rriturit, 7-vjeçari Rijs është fëmija i parë në vend që operohet me këtë pajisje. Ai iu nënshtrua kontrolleve në spital pas një incidenti në një park.
Nëna e tij, Elizabetë Uillton, tha se, pasi bëri skanerin doli se i biri kishte bllokim të uretrave (kanaleve të urinës).
Në fillim, familja nuk e priti mirë që ndërhyrja kirurgjikale do të kryhej me ndihmën e robotit, por operacioni doli me sukses dhe Rejsi i tha së ëmës se ndihej mirë.
Kirurgu që kreu ndërhyrjen është Evan Braunlli, i cili është urolog pediatrik në Spitalin Universitar Southampton. Kirurgjia tradicionale për këtë ndërhyrje mbart disa komplikime, shpjegon ai.
Ndërsa krahët robotikë të përdorur në këtë procedurë kanë një gamë lëvizjeje të tillë që bën të mundur që instrumente kirurgjikale mjaft të vogla të kryejnë operacione të ndërlikuara te fëmijët.
Pas testeve për gati 3 vjet, është arritur momenti historik, kryerja e operacionit te një fëmijë.
Pajisja e ndihmuar nga roboti, e zhvilluar nga kompania “CMR Surgical Ltd” me seli në Kembrixh, synon të arrijë një saktësi që njeriu nuk e arrin dot, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të vogla kirurgjikale, kontrollit të robotit, si dhe një ekrani të zmadhuar me rezolucion të lartë.
Kirurgët shpresojnë që kirurgjia pediatrike me ndihmën e robotëve të bëhet praktikë e zakonshme në të gjithë botën.