LUSHNJE- Ditën e sotme raportohet se një person ka rezultuar pozitiv me virusin “Ethet e Nilit”, në Lushnjë. Mësohet se pacienti është nisur drejt Greqisë për kurim.
Ditën e djeshme u raportua se tre persona kishin humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë infektuar nga “Ethet e Nilit”, sëmundje e cila është rikthyer në vend pas 13 vjetësh. Virusi kalon lehtshëm tek të rinjtë, por të rrezikuar janë moshat mbi 50 vjeç me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje që shkaktohet nga pickimi i mushkonjave. Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit.
Mjeti më efikas për të parandaluar është përdorimi i pajisjeve ose spray kundër mushkonjave dhe insekteve në mënyrë që të shmanget një pickim i mundshëm nga insektet bartëse. Gjithashtu rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur të cilat tërheqin mushkonjat.