Ksamil – Ekspertiza paraprake mjeko-ligjore e kryer në Sarandë për Florian Kofinën, i gjetur i vdekur një ditë më parë pranë Gjirit të Barxhos në Ksamil, ka rezultuar se vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes.
Paraprakisht dyshohet se viktima ka pësuar arrest kardiak dhe më pas është mbytur. Personat, të cilët kanë gjetur fillimisht trupin e pajetë të 38-vjeçarit i kanë thënë policisë se dyshonin të jetë goditur me jet ski, pasi në distancë janë parë disa mjete lundruese. Për këtë arsye, grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit të çështjes, nisi punën duke kryer veprime në vendin e ngjarjes, për të parë nëse qëndrojnë apo jo dëshmitë.
Nga ekpertiza ka rezultuar se në trupin e 38-vjeçarit nuk ka asnjë dëmtim të jetë shkaktuar nga jet ski, përveç një gërvishtjeje të vogël në pjesën e gjoksit, për të cilën ekspertët dyshojnë se është shkaktuar nga përplasja me shkëmbinjtë pasi kishte ndërruar jetë.