Një qytetar i irrituar ka dërguar një mesazh në redaksinë e JOQ, duke shprehur pakënaqësinë e tij për mungesën e sigurisë në plazhin e Golemit dhe për rojet bregdetare të cilët nuk janë në krye të detyrës.
“Përshëndetje JOQ nga plazhi i Golemit. Respekte për bashkinë e Kavajës. Është viti i tretë që bëjmë plazh këtu dhe, sikur e shihni dhe vetë, plazhi është super i siguruar me rojet bregdetare që janë gjithë në ‘punë sot’, njësoj si çdo vit tjetër,”-ironizon qytetari.
Ai vijon të shpjegojë se situata është e njëjtë çdo ditë të javës, pavarësisht se është e diel, 4 gusht. “Jo jo, kështu është përditë, nga e hëna në të diel. Siguria zero dhe kush vjen bën plazh këtu, e di këtë gjë shumë mirë. Asnjë roje bregdetare nuk punon, thjesht marrin pagesën në rregull dhe as nuk i bën përshtypje nëse dikush mbytet në ujë apo jo.”
Qytetari mbyll mesazhin me një falenderim ironik për autoritetet lokale: “Faleminderit të gjithëve, respekte dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë. Vetëm përpara, asnjëherë mbrapa.”
Kjo situatë ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim tek pushuesit e plazhit të Golemit, të cilët kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet për të garantuar sigurinë dhe për të siguruar një prani efektive të rojeve bregdetare në zonë.