BIZA- Gjashtë turistë janë arrestuar në Ibiza, pasi nuk kanë paguar faturën e restorantit. Mediat italiane shkruajnë se turistët kishin refuzuar të paguanin faturën prej 12300 eurosh në një restorant në Ibiza, perla e Balearikëve, me justifikimin se ishin ftuar nga një mik, i cili u largua kur ishte koha për të paguar. Por efektivët e policisë nuk e blenë atë dhe arrestuan menjëherë gjashtë turistët me akuzën e mashtrimit.
Të arrestuarit, janë një burrë 77-vjeçar me kombësi britanike dhe pesë gra nga 24 deri në 39 vjeç, dy prej të cilave janë shtetas argjentinas, po aq shtetas polakë dhe një greke. Drejtuesit e lokalit kanë thirrur agjentët, përballë refuzimit të grupit për të paguar faturën e rëndë prej rreth 12 mijë euro për darkën, në të cilën kishin konsumuar produktet më të mira të shoqëruara me verëra dhe pije alkoolike me kosto të lartë.
Kur erdhi koha për të paguar, gjashtë klientët nuk pranuan të paguanin shumën e duhur, me pretendimin se ishin aty me ftesë të një personi të shtatë, i cili ishte larguar pak më parë pa asnjë shpjegim. Një praktikë e njohur në Spanjë si ‘sin pa’ është ikja nga tavolina pa paguar. Denoncimi është bërë menjëherë, me arrestime të mëpasshme, pasi policia ka hetuar rastin.