Thonë se dashuria nuk njeh kufij. Mësa duket, këtë thënie do të na e dëshmojë në praktikë Cekki Hoti, i cili thotë se ka vendosur që të shkojë me biçikletë nga Kosova deri në Indonezi, sepse atje e ka gjetur dashurinë.
Në faqen ndërkombëtare të çiklistëve në rrjetin “Facebook”, “Bicycle Travellers”, Hoti ka treguar për arsyen e kësaj aventure dhe ka kërkuar sugjerime për udhëtimin e gjatë.
Sipas një kërkimi të thjeshtë në internet, Indonezia është mbi 10 mijë kilometra larg nga Kosova. Ky shtet shtrihet në Azinë Juglindore
Duke i publikuar flamujt e Kosovës dhe të Indonezisë, në gjuhën angleze ai shkroi:
“Nga Kosova në Indonezi
Këto ditë së shpejti do ta nis udhëtimin tim nga Kosova në Indonezi me biçikletë. Pse po e bëj këtë udhëtim? Epo, siç thonë (unë do të shkoj në fund të botës për dashuri), prandaj unë do ta bëj të njëjtën. E gjeta dashurinë time atje që do ta takoj.
Me bekimet e Zotit dhe me përkrahjen tuaj të dashur, shpresoj se do t’ia dal.
Nëse ndokush ka ndonjë sugjerim rreth udhëtimi, ju lus që ta shkruani. Do ta vlerësoja.”
Shkrimi i tij u pëlqye nga më shumë se 500 persona dhe mori shumë komente, kryesisht pozitive.
“Nuk e ke seriozisht, apo” – shkroi dikush me mbiemrin Dragusha.
Dikush tjetër i uroi fat. “Paç fat të mirë dhe shijoje secilin moment të udhëtimit tënd” – tha Mohd Azizul Yussuf.
Një person tjetër pati një vërejtje në gjuhën shqipe: “O vëlla, nëse ke veç pasaportë të Kosovës, nuk të lejojnë me hy në Indonezi dhe plot shtete të tjera ndërmjet. Ki kujdes.”
Valentin Kushnini bëri pak shaka: “Shko me avion e bleje bicikllen atje, ma lirë e ma shpejt.”
Një person tjetër i hyri politikës, duke i sugjeruar që të lobonte për Kosovën: “Mos harro që t’u tregosh indonezianëve se Kosova është shtet i pavarur.”/TEMA