Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi ndryshime në Ligjin për “Urdhërin e Mjekut”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu foli për ligjin që pritet të miratohet në shtator edhe nga Parlamenti, duke dhënë hollësi për ndryshimet thelbësore.
Ajo tha se ndryshimet vijnë për të shmangur sa më shumë të jetë mundur konkonflim e interesit në rastin e çdo profesionisti të mjekësisë i cili punon në strukturat shëndetësore publike.
“Ndryshimet konsistojnë në bërjen publike dhe transparente të informacionit për të gjithë profesionistët e shëndetësisë që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre dhe private.
Ndërkohë që ndryshim tjetër i rëndësishëm është pikërisht dhe miratimi i një regjistri publik i cili do të garantojë akoma më shumë transparencë për këdo profesionistë të shëndetësisë që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij dhe privatisht.
Nga ana tjetër kemi vendosur edhe një tavan të orëve të punës për të cilat një mjek që punon në sektorin publik mund të angazhohet dhe të punojë privatisht.
Ndërkohë që kemi bërë të qarta dhe procedurat për masat disiplinore dhe strukturat përkatëse të cilat do të rregullojnë veprimtarinë akoma më shumë të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë që punojnë në sektorin publik.
E ndërsa mjekët do të punojnë me një orar të përcaktuar dhe do të bëhet transparente puna e tyre dhe në privat, po për shefat e shërbimeve a do të lejohet që të punojnë në sektorin privat?
Ministrja tha: “Në fakt edhe ky është një ndryshim i parashikuar në ndryshimet ligjore të cilat ne miratuam sot. Ka edhe një rregullim edhe të kësaj pike dhe ka të bëjë pikërisht me faktin që drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe klinika private dhe t’i drejtojnë ato klinika private dhe duke qenë titullarë njëkohësisht dhe në strukturat spitalore shtetërore dhe në strukturat e tyre private.”
Ndryshimet vijnë pak javë pasi shpërtheu skandali i Onkologjikut dhe kaosit të krijuar me mjekët që marrin rrogën në shtet duke punuar për pak orë, punojnë me shuma të mëdha në një dhe më shumë struktura private dhe për më tepër, disa prej tyre nxisin deri në detyrim pacientët të marrin shërbime me pagesë në strukturat mjekësore private ku ata gjithashtu punojnë. /noa.al