Bëri bujë në mediat serbe, Bebe Rexha ‘fshin’ kufijtë imponues në Ballkan: Shqiptarët janë një komb të ndarë në disa shtete

Bebe Rexha vizitoi së fundmi vendlindjen e saj ku mori pjesë edhe si e ftuar speciale në “Sunny Hill Festival” në Prishtinë.

Fansat prisnin që Bebe të performonte në skenën e festivalit ndërsa ylli shqiptar shfrytëzoi ditët e qëndrimit në Shqipëri, për të takuar të afërmit e saj në Dibër. Ajo gjithashtu ndau momente të bukura me ta edhe në rrjete sociale ku në sy ra përshkrimi në një postim të sajin.

“Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva – për mua të gjitha janë Shqipëria ime”, u shpreh 34-vjeçarja. Kjo deklaratë bëri bujë të madhe në mediat serbe, të cilët kanë bërë tituj të ndryshëm në lidhje me këtë. Krahas kësaj, Rexha ka bërë një reagim në InstaStory, ku thotë se është krenare që është shqiptare.

Postimi i plotë i Bebe Rexhës:

“Shqiptarët janë përballur me kufij shtetërorë të imponuar, duke ndarë njerëz të të njëjtit komb dhe gjak në shtete të ndryshme.

Megjithatë, kur mendoj për shqiptarët, kufijtë shtetërorë kanë pak rëndësi për mua. Mendoj për gjuhën tonë të bukur, traditat tona, muzikën dhe vallet tona, dhe shumë elementë që nuk kufizohen me kufij.Jam thellësisht e dashuruar me rrënjët e mia, krenare që jam shqiptare dhe krenare për çdo shqiptar që jeton ende në këto troje, si dhe për mijëra në komunitetin jashtë vendit që jetojnë në Amerikë, Evropë dhe në mbarë botën. Ju dua të gjithëve”.