Pamje dramatike / Merr flakë banesa në Shëngjin, zjarri i afrohet kurorës së pishave pranë Kishës! Balla: Nëse nuk pushon era…

Vijon prej disa orësh situata e rëndë nga zjarret në Shëngjin, ku së fundmi flakët kanë përfshirë një banesë katër katëshe.

Janë të paktën pesë vatra të mëdha zjarri në këtë zonë, sipas ish-ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili ishte i pranishëm sot në Shëngjin.

Balla tha se sipas parashikimeve, shpresohet që era e fortë të pushojë pas mesnate, në të kundërt, puna e zjarrfikësve do të jetë e pavlerë.

Në kushtet e kësaj ere kemi një përhapje të flakëve. Po punohet në mënyrë të pandërprerë. Janë 5 vatra zjarri aktive. jam shumë i shqetësuar për vatrat në Kurorën mbi qytet, gjithashtu kemi situatë në Ramën e Hedhun, apo edhe në Shëngjin”, tha Balla.

Balla tha gjithashtu se pritet ndihmë nga Sllovenia, si dhe se është në kontakt me KFOR-in për përdorjen e helikopterëve të tyre për shuarjen e flakëve.

Sitatë e rënduar paraqitet edhe në kurorën me pisha pranë Kishës së Shën Gjonit, një sipërfaqe e madhe e pyllëzuar e përfshirë tashmë nga flakët që rrezikon të kthehet në një katastrofë të rëndë.

Nga pamjet, dallohet një banesë katër katëshe që është përfshirë nga flakët në pjesën e çatisë.