Së shpejti pritet të aplikohen ndryshimet e propozuara në skemën e pensioneve për të cilat po punohet prej kohësh nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Sakaq, në tetor pritet të bëhet indeksimi i radhës për moshën e tretë. Por sa para më shumë pritet të marrin pensionistët? Ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha tregon se metoda e indeksimit së pensioneve do të ndryshohet me një fokus në përfitimin e atyre me shumë të ulëta të pensioneve. Ajo thekson se po mendohet aplikimi i një formule, që do të rezultojë në një rritje më të madhe për pensionet më të ulëta krahasuar me ato më të lartat.
“Metoda e indeksimit së pensioneve do të ndryshohet me një fokus në përfitimin e atyre më shumë të ulëta të pensioneve. Specialistët në fushë po eksplorojnë një formulë që do të rezultojë në një rritje më të madhe për pensionet më të ulëta krahasuar me ato më të lartat. Vitin e kaluar, pati një rritje prej 8.6% (e reflektuar nga inflacioni i pensionistëve), por në terma praktikë, rritja është shumë më e vogël për pensionet më të ulëta krahasuar me ato më të lartat. Për shembull, një pensionist në një zonë rurale që merr 10,000 lekë në muaj pa një rritje vetëm 860 lekë në tetor 2023, ndërsa një tjetër që merr 30,000 lekë në muaj pa një rritje prej 2,560 lekë, e cila është tri herë më e lartë. Një qasje përfshin një rritje me vlerë të fiksuar, ndërsa një opsion tjetër që po diskutohet është përputhja e përshtatjeve të pensioneve me rritjen e mesatares së pagave. Sipas INSTAT, një pensionist konsiderohet i varfër nëse pensioni mujor është më pak se gjysma e pagës mesatare të vendit. Ka sugjerime se indeksimi i pensioneve me ritmet e rritjes së pagës mesatare do të ishte më i drejtë se indeksimi me inflacionin”, tha Ekspertja.