Eshtuna nuk ishte një ditë normale për banorët e Memaliajt, të cilët u zgjuan me lajmin e rëndë të vrasjes së tre personave dhe plagosjen e një tjetri, teksa ndodheshin në lokal pas orës 23:00 të së premtes.
Plumbat që dyshohet se dolën nga tre armë, kapën atë që mendohet se ishte objektivi, 74-vjeçarin Shyqo Kalemin, por edhe dy persona të tjerë që nuk kishin asnjë lidhje me sagën e hakmarrjeve, kamerierin e lokalit Gledio Muka 36 vjeç, dhe një nga klientët, Marsel Çela 47 vjeç. I plagosur mbeti edhe vëllai i Kalemit, i cili ndodhet në spital.
Por ndërsa kanë kaluar më shumë se 48 orë nga masakra, ende nuk ka asnjë autor për ngjarjen. Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat raporton se deri më tani janë kryer mbi 25 kontrolle, ndërsa kupola e Drejtorisë së Përgjithshme, për ndihmë, është atashuar në Gjirokastër.
Kontrollet janë shtrirë në të gjithë vendin, dhe në “sitë” janë futur qytete si Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani, Lezha dhe Shkodra. Mësohet se mbi 20 shtetas janë shoqëruar në komisariat, ndërsa të tjerë pritet t’i shtohen kësaj liste, dhe të merren në pyetje për dijeni në këtë ngjarje.
Pas atentatit, në afërsi të Mallakastrës u gjet një mjet i djegur, me targa gjermane, e në brendësi të tij edhe tre armë që dyshohet se u përdorën në lumin e plumbave të lëshuar drejt lokalit. Policia i ka sekuestruar ato dhe është vënë në lëvizje për sigurimin e të tjera detajeve që do t’i çonin në identifikimin e autorëve, që dyshohet se mund të jenë vrasës me pagesë.
Ndërkohë autoritetet tona janë vënë në kontakt edhe me ato gjermane, pas gjetjes së targave të makinës së djegur, për të marrë më tepër informacione. Vrasja e trefishtë, që u mori jetën dhe dy personave të pafajshëm dhe që nuk ishin objektiv, dyshohet se vjen si pjesë e sagës së hakmarrjes ndaj Andrea Kalemit, djalit të viktimës Shyqo Kalemi.
Ai është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022, që më parë gjatë 2022 dyshohet se kishte eliminuar me eksploziv Aleksandër Sadikajn. Sadikaj rezulton të jetë kushëri i vëllezërve Kalemi.