Vajza denoncon hotelin në Vlorë: Çova mamin invalide, menaxheri më tha ”të kishe ikur!”

Një pushuese ka ndarë një përvojë tejet të pakëndshme tek Hotel Bologna në Vlorë, pasi nëna e saj tetraplegjike përjetoi vështirësi të mëdha për shkak të kushteve të papërshtatshme dhe trajtimit të papërgjegjshëm të stafit të hotelit.

Gruaja kishte rezervuar një dhomë të veçantë për pesë netë, dhomë që supozohej të ishte e përshtatshme për invalidë, pasi kjo ishte reklamuar në faqen e internetit të hotelit. Ajo kishte kontaktuar hotelin paraprakisht për të siguruar që gjithçka ishte në rregull. Megjithatë, kur ata mbërritën dhe bënë check-in, kondicioneri në dhomën e tyre ishte i prishur, duke e bërë dhomën të papërballueshme me temperaturat jashtë që arrinin 40 gradë Celsius.

Në përpjekje për të zgjidhur situatën, stafi i hotelit u ofroi një dhomë tjetër përkohësisht, por ajo dhomë kishte një banjo të papërshtatshme për një person në karrocë me rrota.

Ditën tjetër, menaxheri i hotelit i ofroi të njëjtën dhomë me një freskuese për një çmim prej 100€ për natë. Ky qëndrim përçmues dhe refuzimi për të marrë përgjegjësi për situatën e rënduan më tej stresin dhe shqetësimin e familjes. Si përfundim, gruaja ishte e detyruar të largohej nga hoteli me nënën e saj në mesnatë, teksa askush nuk i kërkoi falje e pa diskutuar rimbursimin.

Menaxheri i hotelit ka reaguar për JOQ. Ai shprehet se vajza e ka ofenduar me fjalor të pistë dhe ky i fundit ia ka kthyer paratë që pagoi.

”Pershendetje Jeta eshte qef ! Jam djali i Hotel Bolognes. Vajza mu ndrejtua mua edhe me tha qe deshte te lironte dhomen se si punonte kondicioneri i thash pa asnje problem … Filloj te ofendonte nga fjalorin me te piste. E mora te recepsioni ta qetesoja. Doli edhe babai i saj. Njeri shume i mire. Edhe i thoshte ule zerin. Bera leket gati edhe ja dhashe“