Policia zhvat dy qytetarët nga Kosova, iu merr 200 euro për shtetësinë shqiptare dhe i fut poshtë tastierës (VIDEO)

Erinda H. me detyrë operatore në zyrën e shërbimit ndaj qytetarëve në policinë e Tiranës është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës. Ajo akuzohet se ka shpërdoruar detyrën.

Në pamjet filmike të publikuara nga News 24 ajo duhet teksa merr para nga disa qytetarë nga Kosova të cilët aplikojnë për marrjen e shtetësisë shqiptare.

Ajo fut 200 euro brenda një flete të bardhë të cilën më pas e vendos në tastierën e kompjuterit. Mentor Muharremi nga Kosova bashkë vëllanë e tij kanë dorëzuar dokumentet për aplikim dhe ai ka shpjeguar se punonjësja në fjalë iu ka kërkuar 100 euro secilit, si pagesë për pranimin e aplikimit.

Tre javë më vonë, është ankuar babai i tyre, për arsyet se përse pagesa nuk ishte pasqyruar në vërtetimin e lëshuar për dy djemtë e tij. Nga hetimet ka rezultuar se dy vëllezërit në fjalë ishin të përjashtuar nga një pagesë e tillë, për shkak të origjinës shqiptare të nënës së tyre.

Ndërkohë që në rastet kur duhej paguar një tarifë e caktuar nga aplikantët, ata ishin të detyruar të bënin derdhjen e shumës në një llogari të çelur në një bankë të nivelit të dytë. Nga hetimet e kryera nga prokurori Bledar Valikaj ka rezultuar se shumën prej 200 eurosh e ka përfituar në mënyrë të padrejtë punonjësja e policisë.

Kjo e fundit shfaqet në kamera, duke marrë paratë, ndërsa dy vëllezërit e kanë identifikuar atë si personin që iu kërkoi të paguanin tarifën, ndonëse ligjërisht ishin të përjashtuar prej saj. Në këto rrethana, punonjësja e policisë Erinda H., tashmë do duhet të përballet me drejtësinë për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.