Shtrenjtimi drastik i çmimeve, qeveria indekson pensionet me 3 për qind ose rreth 600 lekë në muaj

Shqipëria po përballet me rritjen e pazakontë të çmimeve dhe detyrimi ligjor që ka shteti është që të mbrojë qytetarët nga inflacioni duke indeksuar vlerën mujore që marrin pensionistët dhe punonjësit.

Nisur nga ky detyrim, Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme indeksimin e të gjithë kategorive të pensioneve me 3.3%. Kjo do të thotë se një pension rreth 20 mijë lekë në muaj do të rritet me afro 660 lekë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha sot për mediat se ky indeksim ka një efekt në buxhet prej 3.3 miliardë lekësh.

Ministrja tha se qeveria ka bërë llogaritë dhe ka arritur në përfundimin se rritja e kostove mujore të familjeve për shkak të rritjes së çmimeve kohët e fundit, ka arritur në 2.500 lekë.

Shumë njerëz që përballen me blerjet e përditshme pohojnë se rritja e çmimeve është shumë e lartë dhe kosto mujore nga ky shtrenjtim masiv dhe i pandalshëm është mbi 10 mijë lekë në muaj.

Megjithatë qeveria gjykon se rritja e kostos së jetesës është katër herë më pak. Madje Ministrja zbuloi sot se deri dje ishte vendosur që indeksimi i pensioneve të bëhej me 2.4 për qind, porse u rrit në 3.3 për qind, gjithsesi, shumë larg indeksimit real të çmimeve. /noa.al