Dumani jetonte me qira, fqinja tregon bisedën: I trokita e i thashë të mos bënte zhurmë, më erdhi më vonë tek dera

ABC ka siguruar pamjet e apartamentit ku jetonte me qira Nuredin Dumani, i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare.

Prej më se një jave Dumani e kishte marrë këtë ambient me qira, ndërsa mbrëmë donte të strehohej dhe të mjekohej pas plagëve të marra në Papër të Elbasanit.

Sipas deklaratave të fqinjëve, Dumani kishte pak kohë që ishte vendosur në apartament. Një banore për kamerat ka shpjeguar edhe një bisedë që kishte me Dumanin të cilit i kishte shkuar në banesë dhe i kishte kërkuar të mos bënte zhurmë.

“Unë banoj në kat të tretë, ngjarja ka ndodhur në kat të katërt. Vetëm dëgjoja mbrëmë policët që i binin derës me mjete të forta për të hapur derën. Tmerr, u tmerruam.”

“Ata rrinin me qira në fakt. U trokita para 3 ditëve, mos më bëni zhurmë u thashë se jam me tension nuk duroj dot. Na fal, na thanë. Ai që doli ishte rreth 45 vjeç. Pastaj më erdhi për së dyti e më trokiti mua. Unë thashë po ky pse më trokiti prapë? Tha, dëgjo nuk jam unë që bëj zhurmë, është ai lart tha. Epo mirë na fal i thashë unë, që të bezdisa”, tregon një banore e këtij pallati.

Nuredin Dumani ishte një nga më të kërkuarit e policisë, pasi konsiderohet si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale dhe vrasje të ndodhur vitet e fundit. Ai konsiderohet edhe si rival i Talo Çelës, një tjetër i shumëkërkuar nga policia shqiptare, i cili vijon të jetë ende në arrati. /abvcnews.al/